top of page

Nuk mund të thuash gjërat e gabuara personit të duhur.

Në vend të filmit, sot dua të rekomandoj një këngë për qëndrueshmërinë, por a është kjo që duam vërtet:
Isak Danielson – Face My Fear

Nëse ka diçka që kam besuar gjithmonë, është se bisedat e vështira nuk shkatërrojnë kurrë lidhjet e duhura qoftë ato platonike apo romantike.


Më kujtohet një skenë nga trilogjia Before Sunrise, ku personazhet zhvillojnë një diskutim të ndjeshëm që nxjerr në pah frikërat dhe zhgënjimet e tyre. Kur e pashë në një moshë më të re mendova se aty do të prishej gjithçka dhe nuk do të kishte kthim mbrapa. Por në fakt ata bënë gjënë e duhur: vazhduan rrugën bashkë këtë herë në një drejtim më të qartë.


Shpesh gjatë jetës ecim “mbi vezë”, duke shmangur biseda nga frika se mos e lëndojmë personin që kemi përzemër, ose nga frika e tensionit. Por e vërteta është se nuk ka arsye të ndihesh i pasigurt kur je përballë personit të duhur.


Në lidhjet romantike shpesh ndodh që veprimet dhe bisedat të bëhen me strategji. Thuhet se duhet strategji për të “fituar” dikë. Por nëse vërtet të duhet një strategji, atëherë je duke manipuluar me ndjenjat e tua dhe të tjetrit. Marrëdhëniet nuk ndërtohen kështu sidomos nëse dëshiron që të zgjasin.


Shpesh truri i njeriut i futet lojës: “Nëse them gjënë e duhur, do të më zgjedhë… Nëse sillem i ftohtë, do ta fitoj… Nëse injoroj, do të më ndjekë.” Por, cilën lojë po fiton? Ajo ekziston vetëm në mendjen tënde. Me personin e duhur nuk ka lojë, nuk ka ego, nuk ka krenari për të ruajtur. Këto shfaqen vetëm kur lidhja nuk është reciproke.


Shfaqja e interesit nuk të bën të dobët. Përkundrazi, nëse dikush e sheh si dobësi atëherë përgjigjja është e qartë. Kur arrin të vlerësosh dikë pavarësisht të metave, e njëjta mund të ndodhë edhe nga ana tjetër. Nuk ke pse ta zvogëlosh veten vetëm që të të duan.


Më kujtohet edhe një skenë nga Good Will Hunting, ku terapeuti i tregon Will-it për gruan e tij dhe “veset e saj të çuditshme”. Për dikë tjetër do të dukeshin të gabuara, por për të ishin të pazëvendësueshme, sepse ishin pjesë e gruas së tij.



Thenie nga filmi "Good Will Hunting"
Thenie nga filmi "Good Will Hunting"

Një gjë tjetër që kam vënë re është varësia nga mendimet e të tjerëve. Shpesh kërkojmë mendime nga miqtë apo familja për gjërat që lidhen me ndjenjat tona. Por disa gjëra është më e drejtë t’i eksplorosh vetë. Ti je një person i pavarur, një mendje dhe një zemër më vete dhe nuk ka pse të bëhesh skllav i “po sikur”.

 
 
 

Recent Posts

See All

Comments


bottom of page