Kush jam unë kur askush nuk po më shikon?
- Dori
- Aug 10
- 2 min read
Po jetoja me kujdes të madh duke menduar se dikush po më vëzhgonte. Por skena ishte e zbrazët dhe audienca nuk erdhi kurrë -Osamu Dazai
Edhe një pesimist i pandreqshëm siç ishte Artur Schopenhauer kishte thënë se nëse ekzistenca jonë sillte vlerë pozitive atëherë mërzia nuk do të ekzistonte, sepse të ekzistonim do të mjaftonte. Prandaj boshllëkun e krijuar nga dhimbja e ekzistencës duhet shpërqendruar me kënaqësi të momentit, pasione, dëshira dhe përpjekje.
Më kujtohet sa performanca kam bërë sa që mezi më kujtohen, jo në një skenë por në jetë. Duke performuar dhe pohuar në biseda, turma vetëm që të pranohem dhe të përshtatem në një rreth duke menduar që pasi të ndjehem e sigurt do heq ngadalë maskën.
Por ja si është puna? Askujt nuk i intereson nëse performon me apo pa maskë.
Një ditë mes jave dhe të stërlodhur nga puna apo angazhimet që mund të kesh, vjen vonë në shtëpinë tënde dhe në errësirë thjesht ulesh në kolltukun me të afërt me sytë nga tavani dhe mendon për ditën e ngarkuar që do vijnë dhe lodhesh më shumë kur mendon që këto ditë nuk kanë fund. Pastaj fillon dhe mendon sesi do ishte jeta jote nëse do të kishe marrë disa vendime më ndryshe seç ke bërë. Dhe me shumë mundësi një vetje e jote atje larg në një univers paralel po mendon të njëjtën gjë; sikur të kishte zgjedhur rrugën që tashmë ti ke zgjedhur. E vërteta është se nuk ka ndonjë rrugë të duhur për një vete të përsosur; nëse vendimi yt të bën të ndjehesh më e çliruar ajo është rruga e duhur.
Në heshtje dhe vetmi jemi të vërtetët. Në heshtje kuptojmë dobësitë dhe fuqitë tona. Në heshtje askush nuk më gjykon. Në heshtje heq maskën sepse askush nuk të lëndon dhe nuk kërkon aprovimin e askujt. Heshtja është paqe, dhe në paqe gjej veten.
Njerëzit që po përpiqesh t’i bësh të të pëlqejnë janë vetëm në një pjesë të jetës tënde. Prandaj pse po performon për njerëzit që nuk do qëndrojnë? Pse po e formësoj veten për një audiencë imagjinare?
Mjaft prite që bota të të shikojë dhe të të validojë vetëm ty. Mos performo për një turmë që as nuk po të shikon. Thuaje atë që ke në mendje, edhe nëse zëri po të braktis. Zgjidh veten tënde, sepse në fund të çdo skene të performuar pas çdo akti duartrokitjet mbarojnë dhe mbetesh vetëm ti.
Ndërsa po shkruaja, më kujtohet personazhi i “Ved” nga filmi Tamasha, të cilin nuk mund ta lë pa e rekomanduar. Një burrë i rritur, nën presionet e shoqërisë për t’u përshtatur me kërkesat e saj, zhytet në dhimbjen e ëndrrave të parealizuara dhe realitetin e maskuar.

Comments