Unë, Niçe dhe Jazzi
- Dori
- Jan 3
- 3 min read
"Pa muzikë, jeta do të ishte një gabim."
—Friedrich Nietzsche, Twilight of the Idols
Rastësisht lexova një artikull për efektet pozitive psikologjike që muzika jazz mund të japë, që lidhen drejt për drejtë me ngritjen e humorit. Po sikur të gjithë të kërcenim jazz kur jemi të mërzitur dhe të përjetonim një katarsis emocional që do shërbente për çlirimin e emocioneve drejt qetësisë mendore? Pse jo? Jazz-i ka këtë magji; të merr dhe të çon në një univers ku emocionet përzihen dhe kristalizohen në tinguj
Kuptimi ne kaos
Nuk ka shumë kohë që kam lexuar për konceptin e “rrjedhjes së mendjes” apo “flow” siç është në anglisht, një koncept i shpikur nga psikologu M. Csíkszentmihályi. Kjo, në fakt, ka një lidhje të thellë me jazz-in. Të gjithë ata që e kanë shijuar vërtet këtë muzikë, e kanë përjetuar një ndjenjë të ngjashme me ndalimin e kohës dhe, gjatë atyre momenteve, janë zhytur plotësisht në tingull, në emocion, në "këtu dhe tani". Po sikur përherë të jetonim në moment? Ndoshta kjo është një nga mësimet më të mëdha që jazz-i na ofron.
Filosofia vetë ka një histori të pasur me personalitete të çuditshme, sfiduese dhe shumëngjyrëshe: mendimtarë që shohin botën në mënyra të reja dhe që vazhdimisht riimagjinojnë atë që është e mundur dhe në fund që kanë guxuar. Ashtu si filozofet qe ishin unik, edhe jazz-i sjell në pah personalitete të shumta të dallueshme. Çdo artist krijon në një stil unik dhe të papërsëritshëm. Dëgjo Coltrane dhe ndjej dritën; dëgjo Miles Davis dhe ndjej zemrën; dëgjo Billie Holiday dhe ndjej shpirtin.
Filozofia dhe Jazzi
Në mënyrë të ngjashme, fryma e jazz-it mund të krahasohet me një koncept filozofik të përfaqësuar nga figura si Niçe dhe Sartre. Për shembull, Niçe në veprën e tij të parë "Lindja e tragjedisë nga fryma e muzikës", e ndan artin në dy aspekte kryesore: Apollonian dhe Dionysian. Këto dy forca, për Niçen, janë themeli i krijimit artistik. Në këtë kontekst, jazz-i mund të shihet si një shprehje e këtyre dy forcave: teknika dhe precizioni i jazz-it përfaqësojnë aspektin Apollonian, ndërsa improvizimi spontan dhe energjia pasionante mishërojnë frymën Dionysiane.
Lidhja mes jazz-it dhe filozofisë bëhet edhe më e qartë në konceptet e ekzistencializmit, ku liria dhe përjetimi i momentit janë vlera te qendrueshme. Sartre, i njohur për shprehjen e tij të famshme "Ne jemi të dënuar të jetojme të lirë", e përkufizon jetën si një sërë zgjedhjesh që e përcaktojnë ekzistencën tonë. Jazz-i, me hapësirën që i ofron për improvizim dhe zgjedhje të çastit, pasqyron në mënyrë të përsosur këtë filozofi të lirisë.
Gjetja e kuptimit në kaos
Një tjetër aspekt që lidh jazz-in me filozofinë është humanizmi dhe barazia. Jazz-i, si një zhanër i zhvilluar nga komunitete të margjinalizuara, ka qenë gjithmonë një simbol i rezistencës, tolerancës dhe bashkëpunimit. Këto janë vlera që gjejmë edhe në ekzistencializëm, veçanërisht në veprat e Sartre, Camus dhe Beauvoir, të cilët shpesh mblidheshin në kafenetë e Parisit ku luhej jazz.
Por për mua, jazz-i është më shumë se një filozofi apo një shprehje artistike. Është një mënyrë të menduari, një frymëzim që më kujton se jeta është e papërsosur, kaotike dhe ndonjëherë jashtë kontrollit dhe kjo është pikërisht ajo që e bën të bukur. Në fund të dites, jazz-i na sfidon të jetojmë në moment, të përqafojmë të papriturën dhe të krijojmë bukuri nga kaosi. Është një kujtesë se, si në jetë, ashtu edhe në muzikë, vlera më e madhe qëndron në lirinë e të qenit vetvetja. Në atë hapësirë ku ndjen tingullin dhe kuptimin e tij, ndihemi plotësisht te gjallë.
Kërcen, dashuro dhe qaj në tani, sepse çdo moment është një tingull që i jep kuptim jetës.
Me ngrohtesi,
Dori
Comentarios