top of page

A je ti ajo që thua? Përtej etiketimeve.

  • Writer: Dori
    Dori
  • Jan 19
  • 4 min read

Se fundmi kam pasur rastin të lexoj dhe të ndëgjoj shumë për filozofinë lindore. Arsyeja që kam filluar të gjej veten më shumë aty është për thjeshtësinë e gjërave; ndonjëherë i vështirësojmë gjërat duke u përpjekur t’i japim shumë kuptime kur në fakt vetëm një kuptim vlen për ne.


Gjatë verës kam lexuar Tao Te Ching nga Lao Tzu, libër shumë i shkurtër por një vlerë shumë të madhe. Është një nga ata libra që nuk është që thjesht e përfundon por jeton me të. Dhe ndërsa koha kalon dhe kujton mësimet që ke marrë, të ndryshon. Dhe një nga theniet që më ka pëlqyer më së shumti është:


"Ai që e përkufizon veten nuk mund ta njohë me të vërtetë kush është."

Është krejtësisht natyrale të përpiqemi të përcaktojmë veten. E bëjmë këtë vazhdimisht, shpesh pa e vënë re. Etiketat na rrethojnë: student, mësues, prind, mik. Po kështu, përshkruajmë edhe personalitetin tonë: i sjellshëm, shakaxhi, serioz, ekstrovert, introvert. Flasim për hobitë tona, për punën që bëjmë, për besimet që mbajmë. Në thelb, vetëpërcaktimi shpesh lidhet me rolet që luajmë në jetë, bindjet tona dhe përvojat që na kanë formuar.


Mund të thuash: “Jam mjeke,” “Jam e krishterë” ose “Jam një e mbijetuar.” Këto etiketa shpesh na ndihmojnë. Na japin një ndjenjë identiteti dhe përkatësie. Megjithatë, ato mund të na kufizojnë, duke na penguar të shohim plotësinë e asaj që jemi në të vërtetë.


Tao Te Ching na mëson për rrjedhën e jetës. Na kujton se kur mbetemi të kapur pas përkufizimeve, humbasim lidhjen me natyrën tonë të vërtetë. Tzu thekson rëndësinë e fleksibilitetit, duke na mësuar të lëmë mënjanë përkufizimet e ngurta. Vetëm atëherë mund ta njohim plotësisht veten.


Kur e shohim veten si pjesë të një tërësie më të madhe, të lidhur me gjithçka përreth, nuk humbasim individualitetin tonë. Përkundrazi, lëmë pas idenë e ngurtë të asaj që mendojmë se duhet të jemi. Në këtë mënyrë, hapemi ndaj një numri të gjerë përvojash dhe mundësish.


Ideja e mospërcaktimit të vetes lidhet me një koncept më të madh në Taoizëm: “wu wei,” që shpesh përkthehet si “mosveprim” ose “veprim pa përpjekje.” Kjo nënkupton të lëvizësh me rrjedhën e jetës, në vend që të përpiqesh të detyrosh gjërat të ndodhin.


Carl Jung mendonte se identiteti nuk është ajo që krijon vetëdijen tonë. Identiteti është thjesht një histori që krijojmë për veten, duke u bazuar në kujtime, përvoja dhe bindje. Por vetëdija është diçka shumë më thelbësore; ajo është ndërgjegjja që na lejon të kemi këto përvoja në radhë të parë. Është si baza e vërtetë mbi të cilën ndërtohet identiteti ynë.


Kjo do të thotë se nuk jemi të përkufizuar nga mendimet, ndjenjat apo kujtimet tona. Ne jemi diçka më e thellë, diçka që shkon përtej çdo etikete apo kufizimi. Nëse e reduktojmë veten vetëm te këto përkufizime, nuk mund ta kuptojmë plotësisht kush jemi në të vërtetë.


Nëse dikush të pyet, "Kush je ti?" mund të përmendësh emrin, profesionin ose rolin që ke në familje. Por këto janë vetëm disa aspekte të tua, jo e gjithë pasqyrë e identitetit tënd. Ti je më shumë se sa një profesion ose rol; je përbërës i një natyre më të thellë, duke përfshirë dëshirat dhe mendimet që ndodhin në ndërgjegjen dhe pavetëdijen tënde. Dhe, këto aspekte janë gjithmonë në lëvizje, duke ndryshuar dhe evoluar.


Ne kalojmë përmes fazave të ndryshme të jetës, duke evoluar në mendime, besime dhe perceptime. Po ndryshojmë vazhdimisht. Ndonjëherë, diçka që e donim dikur nuk na pëlqen më. Diçka që e besonim me forcë, tani e shohim ndryshe. Kjo na tregon se nuk jemi të palëvizshëm, por të lëvizshëm, si një lumë që rrjedh pa ndalur.


Kur e kufizojmë veten me përkufizime të ngurta, krijojmë bllokime. Tentojmë të përshtatim veten në një etiketë që na pengon të lidhemi me vetëdijen tonë të thellë.


Por kur i heqim këto përkufizime, ose madje jetojmë përtej tyre, bëhemi më të përshtatshëm dhe më të hapur, duke u lidhur më shumë me atë pjesë të brendshme që shpesh nuk e shohim. Siç thotë Lao Tzu, “Gjëja më e butë në univers mund të mposhtw atë më të fortën.”


“Behuni si uji” njëherë Bruce Lee kishte thënë. Uji gjithmonë përshtatet me enën ku është. Ai kalon lehtësisht përmes pengesave, pa u munduar të imponojë forcën e tij. Ky është një nga sekretet që e bën të fuqishëm. Kur ngrihemi mbi etiketat, bëhemi më të ngjashëm me ujin. Ne rrjedhim me rrjedhën e jetës.


Përshtatemi me ndryshimet që vijnë në rrugën tonë. Gjejmë mënyrën tonë për të kaluar përmes identiteteve që shpesh na kufizojnë. Gjejmë ritmin që është i yni, duke e ndjekur udhën tonë, dhe duke u udhëhequr nga një zgjuarsi më e madhe se çdo përkufizim. Në këtë mënyrë, arrijmë një ndjenjë plotësimi që nuk mund të përshkruhet me asnjë etiketë.


Alan Watts dikur ka thënë, “Të përpiqesh të përcaktosh veten është si të mundohesh të kafshosh dhëmbët e tu.” Kjo do të thotë se nuk mund ta kuptosh plotësisht, por mund ta përjetosh. Jeta është për të përjetuar, jo për ta etiketuar. Nuk është e nevojshme të përcaktojmë veten për ta kuptuar veten. Në vend të kësaj, ne duhet të përjetojmë jetën.


Ne rritemi, përshtatemi, ndryshojmë.


Njohja e vetes sonë të plotë është shumë më tepër se thjesht etiketat. Kur heqim dorë nga ajo që mendojmë se jemi, bëhemi ajo që mund të jemi. Ky është thelbi i njohurive më të thella, ku vetëdija dhe pavetëdija bashkohen në një ndriçim të vërtetë.


Lejo veten të jesh ashtu siç je.


Gjithçka tjetër do të vijë më pas. Kur mendon për veten, përpiqu të mos e kufizosh me etiketat. Ndjehu, përjetoji ato aspekte të tua që shpesh i injoron. Lëre pas nevojën për t’u shpjeguar për veten, dhe për të tjerët. Kur e bëjmë këtë, zbulojmë thelbin e vërtetë të ndërgjegjes sonë.



Me ngrohtësi,

Dori

 
 
 

Comentarios


bottom of page